top of page
Search

Dielli i pranverës

Updated: Apr 14, 2021


Dielli i pranverës dhe më tej është dëmtuesi kryesor i lëkurës, ndaj edhe këshillat e mjekëve janë më të shumta në këtë periudhë. Për të pasur një lëkurë sa më të pastër pa njolla kafe dhe per tu mbrojtur ndaj rrezeve të dëmshme që shkaktojnë kancer të lëkurës mjekët dermatolog rekomandojnë një kujdes të veçantë në këto muaj.



Lëkura

Alarmi i diellit pranveror bie pikërisht për personat që kanë lëkurë ngjyrë të celur, sy ngjyrë të hapur që janë persona më të predispozuar për të zhvilluar kancer lëkurë si dhe për personat që kanë predispozitë të shfaqin njolla kafe në lekurë. Është pikërisht dielli ai që akuzohet si faktori kryesor i plakjes së lëkurës, i njollave në lëkurë (melasma) dhe i kancerit të lëkurës. Ndaj mjekët dermatolog rekomandojnë me urgjencë të përdoren kremra me filtra mbrojtës (spf) sa më të lartë. Në të kundërt, do të jetë tepër vonë për të hequr njollat kafe, për të përmirësuar dëmet e rrezeve në lekurë dhe mundësinë për të shfaqur kancer lëkure. Shumica e femrave vecanërisht në vëndin tonë si një vend mesdhetar me diell përballen çdo vit me stresin dhe dëshirën për të eleminuar njollat e errëta në lëkurë, njolla këto të përkeqësuara ndjeshëm ose të formuara si shkak i rrezeve të pranverës e më tej. Njollat në lëkurë mund të kenë dhe disa faktorë predispozues si: ndryshimet hormonale, shtatëzania, kontraceptivët orale ose disa medikamente të tjera të marra në rrugë orale dhe duke mos u mbrojtur nga rrezet e diellit. Sigurisht predispozita familjare (gjenetike) luan rol në zhvillimin e kancerit të lëkurës dhe të njollave në lëkurë.


Dielli Ekspozimi ndaj rrezeve të forta diellore në periudhën mars-prill mund të bëhet shkak për shfaqjen e një sërë problemesh të lëkurës të cilat mund të marrin përmasa të vështira nëse nuk trajtohen në kohën e duhur. Një nga problemet kryesore të kësaj periudhe është shfaqja e njollave kafe në fytyrë dhe zonat e ekspozuara të cilat mbeten të pariparueshme për gjithë periudhën e vitit, dëmtimi i fibrave të kolagenit e elastinës në lekure dhe plakja e lëkurës, si dhe dëmtimet që cojnë në zhvillimin e kancerit të lëkurës. Në këtë periudhë të vitit si dhe në vazhdim gjatë verës është e domosdoshme përdorimi i kremrave me filtra mbrojtës të cilët duhet të kenë një faktor mbrojtje ndaj diellit (spf) të lartë. Personat më të riskuar ndaj kancerit të lëkurës, që kanë predispozitë familjare për të zhvilluar kancer lëkurë ose për të shfaqur njolla (melasma) në lekurë sigurisht që u rekomandohet të përdorin produkte mbrojtëse (Kremra, emulsione) me faktor mbrojtës shumë të lartë (spf 50, 50+).

Kremrat, Emulsionet mbrojtëse ndaj diellit

Përdorimi i kremrave ose produkteve të ndryshme është mirë të merren nën këshillën e mjekut specialist. Kjo për vete faktin se rekomandohen ato produkte që janë të përshtatshme me llojin e lekurës. Ndërkohë që përdorimi i tyre këshillohet të bëhet çdo 2-3 orë për ata që janë për më shumë orë nën efektin e rrezeve të diellit. Është shumë e rëndësishme që aplikimi i produktit që do të realizojë mbrojtjen të vendoset në lëkurë 10 minuta para ekspozimit në diell. Ndërsa pas cdo larjeje është e nevojshme që të aplikohet sërish përdorimi i kremrave mbrojtës që të shmangen efektet negative . Sot janë prodhuar nga kompanitë farmaceutike jo vetëm kremra e emulsione mbrojtës por dhe shumë produkte të tjerë si fondatin që perdoren nga femrat kanë faktor mbrojtës ndaj diellit spf15, spf 30 ose pudra kompakte spf 50 dhe kjo e fundit më qellim që të riaplikohet gjatë ditës tek personat më të riskuar.


Dielli dhe ushqimi si ndikojnë tek lëkura

Ekspozimi në diell për një kohë të gjatë, ose nga viti ne vit, çon në dëmtim dhe shkatërrim të kolagjenit dhe të elastikës së lëkurës, çka ndryshon pamjen e lëkurës, duke e paraqitur atë shumë më të plakur. Ekspozimi në diell është padyshim shkaktari numër një i dëmtimeve si rrudha, dëmtim të enëve të gjakut të lëkurës, trashje të lekurës, njolla të errëta në lëkurë. Procesi i dëmtimit quhet në mjekësi fotoplakje, pra plakje nga ekspozimi. E rëndësishme dhe domosdoshmëri është mbrojtja e lëkurës nëpërmjet aplikimit të kremrave mbrojtës me faktor mbrojtës ndaj diellit, SPF. Domosdoshmërisht edhe gjatë periudhës së dimrit të përdoren kremra hidratues me faktor mbrojtes të ndryshëm, zakonisht SPF15, dhe tek ata persona që ekspozohen shumë edhe në dimër ose që kanë tendence për njolla mund të përdoret faktor mbrojtës më i lartë. Këshillë e rëndësishme është cilësia e ushqyerjes. Këshillohet konsumimi i karotave, frutave e zarzavateve dhe eliminimi i karbohidrateve. Pikërisht frutat dhe zarzavatet përmbajnë antioksidante të shumë dhe ndikojnë në cilësinë e qelizave të lëkurës. Lëkura është pikërisht organi i trupit që pasqyron dhe vuan më shumë nga dehidrimi që sigurisht është më i rritur në verë. Për një lekurë të shëndetshme, rekomandohet të pihet minimalisht 2 litra ujë në ditë, çka do të realizojë jo vetëm hidratimin e lëkurës, por dhe eliminimin e lëndëve e substancave toksike të organizmit. Stresi emocional është një faktor i rëndësishëm në gjëndjen e lëkurës tuaj. Mund të bëni që "rrudhat e emocioneve" të vërehen më pak, nëse tentoni të ndërgjegjësoheni dhe të punoni me gjëndjen tuaj emocionale, duke i kushtuar rëndësi pushimit dhe evitimit të tensioneve të ditës.



Faktorët që ndikojnë në lëkurë





bottom of page