top of page

Trajtimet e pigmentit

Të kuptosh pigmentimet në lëkurë


Lëkura përmban qeliza që prodhojnë melaninë. Melanina na jep në ngjyrën e lëkurës nga ngjyrë e çelur deri në ngjyrë shumë të errët. Këto qeliza të melaninës mund të jenë shumë aktive, më pak active ose të vendosura në zona ku ato duhet të jenë. Disa sëmundje të vecanta, siç është sëmundja e Adisonit mund të shkaktojnë një nxirrje të lëkurës pa ekspozim në diell.
Problemi më i përhapur, siç janë infeksionet fungale (myky në lëkurë) mund të shkaktojnë njolla më të çelura ose më të errëta në lëkurë. Nishanet që ndryshojnë ngjyrë në harkun kohor kanë nevojë për vlerësimin e mjekut specialist. Kështu që një diagnozë e saktë është shumë e rëndësishme dhe në raste të rralla mund të rekomandohet edhe kryerja e biopsisë. Kjo është arsyeja përse takimi me mjekun dermatolog rekomandohet së pari. Megjithatë jo të gjitha njollat kafe në lëkurë është e mundur që të kurohen.

 

Disa nga pathollogjitë më të shpeshta të njollave kafe në lëkurë janë:

”Lentigo Solare”

Lentigo Solare ose njollat e moshës, janë çrregullime të ngjyrës në lëkurë, të sheshta në ngjyrë kafe, që shfaqen në zonat e ekspozuara në diell siç janë duart dhe fytyra.
Janë një çrregullim jo i dëmshëm, që nuk ka të bëjë me moshën e pacientit. Ato shfaqen si rezultat i ekspozimit ndër vite në diell dhe shkaktohen nga rritja lokale e pigmentit, të prodhuara nga qelizat.
Mjeku dermatolog do t’ju rekomandoj cryoterapinë (azot I lëngshëm) ose aplikimin e lazerit.

 

”Melasma – Chloasma”

Ky është një çrregullim i zakonshëm që shkakton njolla kafe në lëkurën e fytyrës.
Njollat kafe të shkaktuara pas ekspozimit në diell shpesh errësohen më shumë gjatë verës, dhe zbehen disi në dimër. Kjo pathollogji haset zakonisht tek femrat, megjithëse vërehen edhe raste meshkujsh që vuajnë nga melasma. Shpesh vërehet në gratë që marrin kontraceptivë oralë ose terapi hormonale, apo medikamente të caktuara si antibiotikë etj. Në rastet kur haste gjatë shtatzanisë, quhet maska e shtatëzanisë ose chloasma.
Ky tip I melasmës zakonisht zbehet disi pas lindjes së fëmijës.
Gratë që kanë chloasma duhet të presin disa muaj pas lindjes për të filluar procedurat kozmetike të eleminimit të hiperpigmentimit. Gratë që marrin kontraceptivë oralë dhe që vuajnë nga melasma, duhet të marrin në konsideratë ndonjë formë tjetër të konracepsionit. Ndryshimi i formës së kontracepsionit zakonisht nuk ka efekt në hiperpigmentimin e krijuar më përpara.
Mjeku dermatolog do t’ju sugjerojë një skemë trajtimi individuale për përdorim shtëpiak dhe aplikimin e procedurave mjekësore si peeling kimik, mikrodermoabrasion ose terapi me lazer në klinikë.

”Hiperpigmentimi Post-inflamator”

Ky hiperpigmentim, mund të rezultojë pas proçeseve inflamatore në lëkurë.
Aknet dhe ne vecanti cistet ose nodulet mund të lënë hiperpigmentime të tilla. Gjithashtu vërehen pas pickemive nga insektet, djegieve, shenjave, ekzemës kronike.
Peeling kimik ose trajtimet me lazer mund të shkaktojnë hiperpigmentime të tilla në disa individë, veçanërisht nëse ato aplikohen gjatë periudhës së verës, dhe duke mos realizuar mbrojtjen e duhur ndaj rrezatimit diellor. Gjithashtu depilimet me dyllë dhe elektrolizis mund të shkaktojnë shenja hiperpigmentimi. Shkalla e hiperpigmentimit varion në varësi të pjesës të trupit në të cilën shfaqet.
Sa më e errët të jetë lëkura juaj aq më shumë ju mund të riskoheni nga ky lloj hiperpigmentimi.
Mjeku juaj dermatolog do t’ju rekomandoj përdorimin e një sërë produktesh në shtëpi (zbardhues ose maskues) shoqëruar ose jo me procedura dermatologjike si peeling kimik, mikrodermoabrasion ose terapi me lazer.

 

”Nishanet“

Nishanet janë hiperpigmentime në lëkurë me ose pa predispozitë gjenetike, të cilat mund të shfaqen menjëherë pas lindjes, brënda 6 muajve të parë të lindjes ose gjatë ekspozimit në diell ndër vite. Është shumë e rëndësishme që cdo individ të njohë mirë nishanet e trupit të tij, dhe nëse vëren ndonjë ndryshim të këtyre nishaneve ti drejtohet menjëhere mjekut dermatolog. Rekomandohet të kryhen kontrolle frekuente një herë në vit pranë mjekut dermatolog për ekzaminimin dhe ndjekjen e nishaneve me dermatoskopi.
Dermatoskopia është një metodë jo invasive, efikase që realizon studimin e nishaneve, ndjekjen e tyre, diagnostikon melanomën dhe llojet e ndryshme të kancerit të lëkurës.

 

”Keratoza Seborrheike“

Këto janë elementë të ngjashëm me njollat e moshës por kanë sipërfaqe të ngritur mbi lëkurë. Keratoza seborrheike mund të shfaqet në fytyrë dhe në trup dhe vërehet më shumë në moshat e treta. Këto elementë mund të trajtohen nëpërmjet cryoterapisë (azotit të lëngshëm). Në disa raste një shenjë e lehtë disi më e zbardhur mund të mbetet pas trajtimit.

”Njollat Kafe – Late“

Janë njolla të madhësive të ndryshme në ngjyrë kafe të lehtë. Vërehen zakonisht në disa pathollogji të lëkurës. Rreth 50% e tyre mund të përmirësohen me terapi me lazer, por ato kanë tendencë të rikthehen.

bottom of page